Program gjithëpërfshirës dhe jetik për kapacitetet zbatuese të “Garancisë për të rinjtë”

“Në kuadër të projektit tonë zbatohet programi për ngritjen e kapaciteteve, i cili është gjithëpërfshirës dhe jetik për zbatimin e skemës “Garancia për të rinjtë” për punësim dhe edukim të vazhdueshëm. Për qëllime të programit kemi zhvilluar një hulumtim mbi kapacitetet ekzistuese dhe pas përpilimit të analizës së plotë jemi duke hartuar masa specifike për përmirësimin e kapaciteteve të më shumë se 500 punonjësve të sektorit të arsimit dhe punësimit në institucionet publike.

Kjo u tha dje gjatë punëtorisë që u mbajt në Shkup, në të cilën morën pjesë 40 përfaqësues të institucioneve publike, qendrave rajonale për punësim dhe qendrave rajonale për arsim dhe aftësim profesional.

Pjesëmarrësit patën diskutim thelbësor rreth gjetjeve, interpretimit të rezultateve dhe vërtetimit të aktiviteteve të propozuara.

“Garancia për të rinjtë” është një skemë e BE-së për punësim, arsimim të vazhdueshëm, praktikë ose stazhim për të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, të cilët regjistrohen si persona të papunë në një periudhë 4 mujore pasi të mbarojnë shkollën.

Për më tepër, BE-ja do të mbështesë buxhetin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumë prej 15 milionë euro për një periudhë tre vjeçare, nëpërmjet mbështetjes drejtpërdrejte buxhetore për zbatimin e reformave në këtë sektor.