Si funksionon MBS

Mbështetja buxhetore e sektorit favorizon partneritetet e vërteta, në të cilat BE-ja punon me vendet partnere si të barabartë. BE-ja i shoqëron ata në procesin e tyre të reformës drejt arritjes së qëllimeve të zhvillimit, përmes dialogut të balancuar dhe të hapur të politikave, dhe shpërblen performancën e tyre kur arrihen rezultatet.

Mbështetja buxhetore nxit pronësinë e vendeve partnere mbi politikat dhe reformat e zhvillimit. Ajo mbështetet në transparencën, respektin reciprok, përgjegjshmërinë, performancën dhe menaxhimin e rrezikut, me synimin për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit tonë për zhvillim.

Për të përfituar nga mbështetja buxhetore, vendet partnere duhet të kenë:

  • strategjitë, politikat dhe/ose reformat përkatëse dhe të besueshme kombëtare ose sektoriale
  • politikat ekonomike të fokusuara në stabilitet
  • një plan përkatës dhe i besueshëm për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe mobilizimin e të ardhurave të brendshme
  • mbikëqyrjen e buxhetit dhe informacionin buxhetor publikisht në dispozicion

Qeveritë përfituese duhet gjithashtu t’u përmbahen vlerave themelore të BE-së për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Transferimet financiare në kuadër të mbështetjes buxhetore janë të lidhura me performancën. Nëse një vend partner nuk i plotëson kushtet e dakorduara për rezultate, pagesat do të mbahen deri në përmbushjen e tyre. Përdorimi i një kësti të ndryshueshëm bazuar në tregues mundëson edhe pagesën e pjesshme në rast të performancës së pjesshme. Kështu, pagesa nuk bazohet në raportimin e shpenzimeve të veçanta, por në përmbushjen e objektivave të rënë dakord.

Rregulla të veçanta janë rënë dakord në SRPC dhe marrëveshjet financiare përkatëse, por në përgjithësi, vendet paraqesin kërkesë vjetore për disbursim të shoqëruar me raport (vetë) vlerësimi të progresit vjetor kundrejt treguesve të rënë dakord. Raporti përmban një përshkrim të çdo objektivi të arritur, duke ofruar ‘verifikim’ (p.sh. të dhëna statistikore). Pas miratimit të raportit nga Komisioni Evropian (KE) pagesa i jepet drejtpërdrejt ministrisë së financave.

Ndonëse mbështetja buxhetore e sektorit përfaqëson një lloj ‘tarifë suksesi’ dhe nuk mbulon kosto të veçanta, është e qartë se zbatimi i reformave sektoriale zakonisht lidhet me një lloj investimi (p.sh. modernizimi i shkollave, prokurimi i teknologjive më të fundit të kujdesit shëndetësor, zhvillim të programeve dhe metodave të reja të trajnimit, ose thjesht të trajnimit të specialistëve apo sipërmarrësve). Përpara se të nënshkruhet SRPC-ja, ekspertët e KE-së dhe ekspertët e qeverisjes vendore kanë marrë përsipër kostot totale të investimit të planifikuar. Shuma totale e MBS-së atëherë përfaqëson gjysmën ose edhe më shumë të shumës së llogaritur për të përmbushur detyrat e ‘stimujve’ për të arritur objektivat e SRPC-së.

Për më shumë informacion ju lutemi vizitoni https://ec.europa.eu/international-partnerships/budget-support_en